Edhe pak ditë kanë mbetur nga përfundimi i censusit të popullsisë dhe banesave, por në Durrës ka shumë qytetarë që deklarojnë se nuk e kanë plotësuar ende formularin. Sipas tyre, anketuesit nuk u kanë vajtur në banesë.

“Nuk kanë ardhur. Kam një muaj këtu, por s’ka ardhur askush. Edhe letër nuk më kanë lënë”.

“Banoj në lagjen nr.3, jemi shumë të interesuar të gjithë ta plotësojmë. Por nuk kemi dëgjuar asnjë banor të thotë se kanë ardhur anketuesit. Nuk e di si do të dalin këto statistika”.

“Akoma nuk kanë ardhur, sepse unë jam në pallat të ri prej tërmetit. Patjetër që do të vijnë megjithëse janë ditët e fundit”,– deklarojnë për mikrofonin e “DurrësLajm” disa qytetarë.

Në qytetin e Durrësit janë gjithsej 280 anketues, që operojnë në terren për të plotësuar formularët e anketimit. Sipas përgjegjësit të Censit për Prefekturën Durrës, Rustem Ndroqi, deri më tani nuk është intervistuar vetëm 1% e popullsisë.

“Ne jemi drejt përfundimit, nëse do flasim me përqindje rreth 1% e zonave të Censit ka mbetur pa numëruar”.

Në këto ditë të fundit, puna në terren është përqendruar në dy drejtime kryesore.

“Kemi dy fokuse kryesore, një janë banorët të cilët kanë lëvizur nga banesat për shkak të tërmetit dhe gjatë kësaj kohe janë identifikuar ku janë rezidentë dhe po dërgohen anketuesit që të dërgojnë informacione në banesat ku jetojnë aktualisht. Fokusi tjetër janë ata banorë, të cilët janë kontaktuar rreth 3 herë, por për arsye të ndryshme nuk është bërë e mundur marrja e informacionit dhe tashmë po na telefonojnë vetë për të kërkuar që të numërohen në Census”,- thotë Ndroqi.

Censi i popullsisë dhe banesave nisi më 18 shtator dhe do të përmbyllet më 15 nëntor. Për herë të parë të dhënat e mbledhura nga anketimet e qytetarëve do të grumbullohen në mënyrë digjitale, çka do të lehtësojë dhe përshpejtojë procesin e përpunimit të tyre. Regjistrimi do të ofrojë të dhëna për popullsinë rezidente, karakteristikat demografike, sociale, të dhëna për strehimin, shëndetësinë, punësimin e të tjera.

M.B.