Mbretëresha e Globit këtë vit do të kurorëzohet në Durrës. Një nga eventet më të rëndësishme të bukurisë femërore rikthehet pas 20 vitesh në qytetin bregdetar shqiptar, duke e shndërruar vendin tonë në vëmendjen e dhjetrave shteteve anembanë globit.
Janë 52 vajza që konkurrojnë për kurorën e Miss Globe 2023, dhe secila prej tyre është unike duke përfaqësuar ngjyrat e flamurit të vendit të tyre. Një shpalosje vlerash e gjithë botës që ndodh pikërisht në Durrës të premten më 17 nëntor, në një natë spektakolare te pallati i sportit “Ramazan Njala”, nën drejtimin e Ermal Peçit dhe Drita Zirit.
Producenti Petri Bozo na tregon detaje mjaft interesante për kompeticionin e këtij viti dhe pse u zgjodh pikërisht qyteti i Durrësit për t’u mbajtur ky event i përmasave kaq të mëdha.
Petri Bozo: “Ne morëm të drejtat nga patenta e madhe amerikane “Deliart Association” për organizimin botëtror të eventit në vitin 2004, dhe u zgjodh Amfiteatri i Durrësit, i cili u shndërrua në një sallë shfaqjeje ku asistuan rreth 4500 spektatorë.
I rikthehemi Durrësit pikërisht për këtë 20-vjetor. Në kushtet që jemi nuk na respekton koha sepse thuajse ka filluar dimri dhe nuk mund ta organizojmë jashtë. Kështu që e vetmja mundësi për një dimension skenografik të kësaj kategorie dhe për t’i dhënë rëndësinë që ka vetë eventi, u zgjodh pallati i sportit.
Gjithë qyteti i Durrësit me madhështinë e vet, pjesën historike, kulinarisë, hotelerisë, turizmit, në krahasim me 2004-n, është shndërruar dhe ka një ndryshim esencial.
Nga viti 2017, “Deliart” është pronar i patentës me të drejta të plota dhe kështu një nga top 5 eventet më të mëdha në botë ka një vulë shqiptare dhe ky është një fakt për t’u mburrur çdo shqiptar, sepse në agjendën botërore të kompeticioneve të bukurisë ka një pikë ku ngrihet flamuri shqiptar.
Këtë vit për herë të parë ka edhe shtete që s’kanë qenë kurrë më parë në këtë garë si Nepali, Somalia, shtete të Amerikës Latine.
Përveç zgjedhjes së më të bukurës së globit, eventi do të jetë i shoqëruar me performancë të artistëve më në zë si Endri Prifti, Devis Xherahu, Xhesika Polo, një grup violinistësh, një grup kori shumë i talentuar etj. Do të jetë një shfaqje e mrekullueshme që publiku durrsak e ka shumë pranë për ta prekur”.
52 vajzat pjesëmarrëse prej dy javësh ndodhen në Shqipëri ku kanë vizituar Durrësin dhe disa ndër qytetet kryesore duke njohur nga afër kulturën dhe popullin tonë. Por si e kanë shijuar ato këtë përvojë dhe çfarë i ka impresionuar më shumë gjatë këtyre ditëve, e tregojnë për mikrofonin e “DurrësLajm” më e bukura e Filipineve dhe Sudanit Jugor.
Miss Filipinet: “Përfundimisht njerëzit. Janë aq të këndshëm sa në Filipine. Shqiptarët janë shumë ndihmues kurdo që unë kam nevojë për diçka, janë njerëz të ngrohtë. Por ajo që më ka impresionuar më shumë është ushqimi. Kam provuar lloje të ndryshme ushqimi dhe më kanë shijuar kaq shumë. Jam kënaqur në çdo udhëtim që kemi bërë. Ju keni një vend të mahnitshëm, keni male, keni det. Planifikoj të kthehem në verë në Shqipëri e të shijoj detin. Ka qenë argëtuese, por e di që është më argëtuese gjatë verës”.
Miss Sudani Jugor: “Këto ditë kanë qenë të mahnitshme. Unë vij nga Sudani jugor, dhe vlerësoj historinë e një vendi. Jam kënaqur duke vizituar muzeumet dhe vendin tuaj.”
Shumë surpriza dhe plot emocione ju presin nesër në një natë spektakolare në Durrës! Biletat mund t’i gjeni në pallatin e sportit “Ramazan Njala” dhe te pallati i kulturës “Aleksandër Moisiu”.
S.L.