Kryeministri Edi Rama ka folur gjatë Asamblesë të PS-së edhe për çështjen e aeroporteve të Kukësit dhe Vlorës, për të cilët është akuzuar nga qytetarët se ka mashtruar.
Ai ka thënë se do të gjejë në Facebook kuksianët që e kanë sharë më shumë dhe do t’ua ofrojë biletën falas që të votojnë Partinë Demokratike.
Ndërkohë, sipas Ramës mandati i tretë do të mbyllet me 4 aeroporte në total, pasi përveç atij të Rinasit, Shqipëria do të ketë edhe aeroporte në Kukës, Vlorë dhe Sarandë.
“Më thoshin që aeroporti i Kukësit është fantazi, por do i marr 120 demokratë në shenjë falenderimi nga Londra dhe do i zbres të votojnë PD-në. Do hap Facebookun dhe do shikoj kush ka sharë më shumë do e ketë biletën falas. Do i zbres në aeroport dhe do u them: Shko voto PD-në.
Vitin e ardhshëm do të fillojë ndërtimi i aeroportit të Vlorës. Pas Vlorës do të fillojë aeroporti i Sarandës. Mandati i tretë do të mbarojë me 3 aeroporte të tjera përveç këtij që kemi”, tha Rama.





