Në Ditën Ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuar, në Durrës u organizua një protestë dhe marshim ndërgjegjësues para bashkisë.

Shumë anëtarë të shoqatës së para dhe tetraplegjikëve, por edhe të verbërve, morën pjesë në marshimin protestë duke ngritur zërin për problematikat e shumta të këtyre kategorive në nevojë, të cilat shpeshherë vuajnë indiferentizmin e strukturave shtetërore.

“Jemi këtu për të sensibilizuar opinionin publik dhe atë institucional për vëmendje ndaj nesh. Jemi në 2023 dhe shohim një bashki të bunkerizuar, ku s’merr informacion po dhe të diskriminon duke vendos lloj lloj barrierash që aftësia e kufizuar të mos jetë e integruar. Kemi një problem dhe me shoqëruesit të cilëve nuk u njihen siguracionet dhe paguhen me pagesë qesharake. Të punosh në të zezë në shtet kur është e ndaluar me ligj”, u shpreh Sajmir Farrici, shoqata kombëtare “Shpresë për të Verbërit”.

Ndërsa Adivije Hoxha, nga shoqata e Para dhe Tetraplegjikëve, gjatë fjalës së saj e vuri theksin në kërkesën e vazhdueshme të anëtarëve të shoqatave që mbrojnë të drejtën e personave PAK, që të trajtohen me dinjitet.

“Jemi këtu për t’i kujtuar institucioneve vendore dhe qendrore se kemi nevojë dhe dinjitetin tonë për t’u trajtuar njerëzisht. Jemi këtu për t’i kujtuar pushtetit vendor përgjegjësinë për të bërë një qytet të aksesueshëm e gjithëpërfshirës. Kemi nevojë dhe për një trajtim dinjitoz për kujdestarët tanë se askush nuk mund të të shërbejë me 12 mijë lekë në muaj. Një pyetje kam për pushtetarët sa e paguajnë shërbyesen në shtëpitë e tyre”, u shpreh Hoxha.