Izraeli ka kundërshtuar thirrjen e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres për një “armëpushim humanitar”.
Guterres paralajmëroi se sistemi humanitar në Gaza mund të shembet dhe i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të shmangur një “katastrofë”.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, u ka kërkuar shteteve evropiane që të mbështesin Guterres.
“U kërkoj anëtarëve të BE-së të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe partnerëve me të njëjtin mendim që të mbështesin OKB-në dhe thirrjen e Sekretarit të Përgjithshëm AntonioGuteres. Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara duhet të veprojë menjëherë për të parandaluar një kolaps të plotë të situatës humanitare në Gaza”, postoi ai në X.
Franca dhe Malta janë dy shtetet e vetme të BE-së në mesin e 15 që përbëjnë Këshillin aktual të Sigurimit.
Ministri i Jashtëm izraelit Eli Cohen kishte thënë në X se “thirrja e Guterres për një armëpushim në Gaza përbën mbështetje të organizatës terroriste Hamas”.