Kur i kemi ngulur mirë këmbët në shekullin XXI, zor se gjen dikë që ende vë shenjën e barazimit mes të qenurit “i shëndoshë” dhe “i shëndetshëm”.
Frekuentimi i palestës është kthyer në një trend, të përqafuar jo vetëm nga të rinjtë, por edhe nga mosha e mesme dhe mosha e tretë.
Të shumtë janë ata që e kanë të nevojshme të lëvizin, të shkathtësohen, të ruajnë fizikun e rrezikuar nga obeziteti e jeta pa sforcime fizike.
“Nga viti në vit ka ndryshim në frekuentim. Njerëzit kanë filluar ta kuptojnë, që duhet të bëhet aktiviteti fizik. Nga viti në vit ndryshimi është edhe në frekuentim, por edhe në moshë. Vijnë edhe mbi 50 vjeç, 60-65, kemi edhe 73-vjeçar që bën palestër dhe ta them me bindje të plotë, që ka një fizik të admirueshëm edhe nga të rinjtë.”, thotë instruktori Eder Berzezi.
Me shtimin e ndërgjegjësimit janë shtuar edhe “dembelët”, të ndikuar kryesisht prej rrjeteve sociale.
“Ndikohen duke parë rrjetet sociale. Unë e shikoj, që më vijnë me telefon në dorë e më thonë ‘Dua të bëj këtë ushtrimin”, por nuk është i përshtatshëm për ta. Ai shikon atë në ‘TikTok’ a ‘Instagram’ dhe thotë ‘Dua të bëhem si ky, në pak kohë’, por pa e ditur si duhet të ushqehen, regjimin që duhet të mbajnë“, tregon Berzezi.
Ashtu si kudo tjetër nëpër qytet, edhe këtu nuk mund të mungonin të huajt, të cilët tashmë nuk mund t’i numërosh me gishtat e dorës.
“Jo më kot unë palestrën e hap në orën 06:30, sepse janë këta të huajt që vijnë herët dhe frekuentojnë palestrën. Kanë një edukatë për t’u admiruar. Gjermanë, italianë po e po, kemi nga Zvicra. Këta që po flas janë rezidentë, që jetojnë në Durrës dhe e frekuentojnë palestrën rregullisht. Ndërsa gjatë verës ka shumë të huaj, që edhe pse janë me pushime, bëjnë aktivitet fizik”, shton instruktori.
Frekuentimi mund të bëhet në varësi të kohës dhe disponueshmërisë së të interesuarve, me çmimet që variojnë nga 2500 deri në 6000 lekë të reja për një muaj.





