Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, është shprehur se do të jenë prokurorët e çështjes së Sali Berishës që do të vendosin nëse do të kërkohet arrestimi i ish-kryeministrit nëse Kuvendi vendos heqjen e imunitetit të tij të deputetit.

I pyetur se çfarë mase do të vendosë SPAK ndaj ish-kryeministrit, Dumani u përgjigj se: “Masa për Berishën në vlerësimin e prokurorisë të çështjes”.

Kuvendi do të votojë në seancën parlamentare të së enjtes (21 Dhjetor) për kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Berishës, që i hap rrugë arrestimit të tij.

Ndërkohë opozita ka organizuara protesta para Parlamentit që do të nisin rreth orës 09:00.

Zbardhen skenarët

Opozita ka paralajmëruar betejë në dy fronte ditën e enjte, teksa Kuvendi pritet të miratojë kërkesën e SPAK-ut, që i hap rrugë autorizimit për masën arrest në shtëpi ose me burg ndaj Sali Berishës.

Protesta do të zhvillohet më 21 dhjetor në orën 09:00 para Kuvendit të Shqipërisë.

“Opozita e të drejtave të mohuara në aksion” është logo e protestës së thirrur nga Berisha.

Dy ditë më parë Këshilli i Mandatave miratoi me 6 vota pro kërkesën e SPAK që i hap rrugë arrestimit të Berishës. Me votat e PS-së u bashkua edhe deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj.

Ndërkohë Klotilda Bushka u caktua relatore për të hartuar raportin që do t’i dorëzohet seancës plenare. Pas mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar, Sali Berisha e Gazment Bardhi ndonëse nuk dhanë detaje mbi strategjinë që do të ndjekin në dy mosbindjet civile brenda e jashtë sallës së parlamentit, folën për një betejë pa kthim të opozitës.

Teksa i bëri thirrje SPAK-ut që të ndërmarrë akte vetëm me forcën e ligjit, të enjten ndonëse do jetë në mosbindje civile brenda në sallën e parlamentit, Bardhi dhe deputetët e grupit parlamentar nuk do të marrin pjesë në votim.