Të tjera detaje janë bërë të ditura lidhur me aksidentin e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Selitë, ku një automjet u përplas me makinën e Gardës, në të cilën po udhëtonte djali i gjyqtares Irena Gjoka. 

Mësohet se Izidor Heta është polici, i cili u përplas mbrëmë me makinën e Gardës, që po shoqëronte makinën e gjyqtares së Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion, Irena Gjoka. 

Heta është efektiv i Policisë Rrugore në Elbasan, ndërsa mësohet se në momentin e aksidentit po udhëtonte me një makinë private me targa zviceriane dhe jo me mjetin e policisë. 

Ndërsa shoferi i mjetit ku ndodhej djali i gjyqtares ishte Ardjan Disha. Bazuar në pamjet e kamerave të sigurisë, polici dyshohet të ketë shkaktuar përplasjen. Sipas gardistëve që po eskortonin djalin e Irena Gjokës, policit iu kërkua tre herë që të distancohej dhe të mos hynte në eskortim, por ai nuk u bind.  

Gardistët pretendojnë se polici udhëtoi pas tyre që nga Rinasi e deri në Selitë, ku ndodhi aksidenti. 

Vetë polici, në dëshminë e dhënë të premten në mbrëmje, pretendoi se ishte lagështira në rrugë që e bëri të humbasë kontrollin.