Klubi Rotaract Durrës në prag të festave të fundvitit u erdhi në ndihmë përmes një aktiviteti bamirës 30 familjeve në nevojë të qytetit bregdetar. Rotaraktorët, në bashkëpunim me qendrën CSDC Durrës, të mbështetur dhe nga Klubi Rotarian, shpërndanë pako ushqimore, por jo vetëm, pasi mes ndihmave kishte edhe lodra, veshje, libra etj.
Familjet ishin të përqendruara kryesisht në zonat periferike të Durrësit si Spitallë, Porto-Romano, ish-Kënetë, Shkozet, Plazh dhe Shkallnur. Pjesa më e madhe e familjeve që përfituan pakot me ndihma ishin të përbëra nga shumë anëtarë, të papunë, të moshuar të vetmuar, gra të dhunuara, me fëmijë dhe të rritur me aftësi të veçanta.

Jetesa plot vështirësi ekonomike e këtyre familjeve, është një plagë sociale, por një pako e vogël simbolike shërben për t’i dhuruar buzëqeshje dhe shpresë në prag të festave, që finalizojnë mbylljen e një viti dhe nisjen e një viti të ri.
Angazhimi në ndihmë të komuniteteve më vulnerabël ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë një projekt në vijimësi edhe përgjatë vitit të ardhshëm për Klubin Rotarian Durrës dhe Rotarakt Durrës.





