Polemikat për ndeshjen mes Interit dhe Veronës janë shtuar edhe më shumë pas sfidës, kur në rrjetet sociale ka shpërthyer debati jo vetëm për golin që u duhej anuluar zikaltërve. Në epiqendër të kritikave ishin interistët Dimarko dhe Açerbi, të cilët kishin bërë një gjest antisportiv dhe të turpshëm për shumëkënd. Në momentin që Tomas Henri i Veronës humbi penaltinë në minutën e 100 të ndeshjes, ata të dy shkuan dhe i festuan pikërisht para fytyrës futbollistit kundërshtar, në një gjest që është komentuar gjatë në rrjetet sociale. Kështu, pas sfidës, Dimarko ka qenë i pari që ka kërkuar falje publikisht nëpërmjet një postimi, duke sqaruar se kishte takuar Henri në fund të ndeshjes dhe në dhomat e zhveshjeve për ta përqafuar dhe ngushëlluar pas kësaj mundësie të humbur.
“A u gëzova? Po u gëzova dhe shumë. Pa ofenduar askënd, pa gjeste të pasjellshme, u gëzova aq shumë për fitoren, për “frikën” dhe për rrezikun e shmangur. Është sport dhe është i bukur edhe për këtë. Fatkeqësisht, ai është gjithashtu i ashpër dhe mizor ndaj atyre në anën tjetër. Dhe më vjen keq nëse gjithë ky gëzim shpërtheu instinktivisht tek unë përballë @thomas_henry_official që sapo kishte humbur penalltinë dhe unë gëzohesha para tij. Në shpirtin tim, jam i sinqertë. Disa do të thonë që nuk është gjë e bukur dhe ndoshta kanë të drejtë, por unë nuk doja të ofendoja askënd, aq sa në fishkëllimën e fundit, edhe para se të festoja me shokët e mi, shkova ta përqafoja. Dhe të njëjtën gjë bëra në dhomat e zhveshjes pas ndeshjes me ish-shokët e mi të skuadrës. Sepse ky është sport. Fiton, humbet, gëzohesh, qan dhe në fund përqafohesh me njëri-tjetrin. Moralistëve u them: më kritikoni, por shikoni gjithçka që ndodh në fushë, jo vetëm atë që ju përshtatet, faleminderit”, ishte postimi i Dimarkos në rrjete sociale.





