Në takimin e mbajtur paraditën e kësaj të mërkure në portin e Durrësit për rëndësinë e zhvillimit të ekonomisë blu apo turizmit të detit, drejtori i APD, Pirro Vengu tha se institucioni që drejton ai ka një rol posaçëm në këtë përpjekje të qeverisë.
“Paketa ligjore e qeverisë shqiptare për ekonominë blu është një përgjigje ambicioze ndaj kësaj harrese, duke synuar të vendosë detin në qendër të zhvillimit ekonomik të vendit.
Porti i Durrësit ku përpunohen mbi 80% e mallrave që transportohen në Shqipëri në rrugë detare dhe mbi 50% të të gjitha importeve dhe eksporteve në tërësi ka një rol të posaçëm në këtë përpjekje.
Sot në Shqipëri kemi një realitet të ri, kemi një rritje të mjeteve lundruese për qëllime turistike, rritje cilësore të ofertës së tregut të turizmit bregdetar dhe nënujor, kemi një rritje të peshkimit për eksport, kemi dhe një rritje të volumeve tregtare që tranzitojnë mes porteve tona në vendet e rajonit.”
Vengu tha se statistikat dëshmojnë se transporti detar, turistik apo tregtar është ndër sektorët që ka një kontribut masiv në të ardhurat e buxhetit të shtetit dhe i cili mbar potencialin më të lartë të punësimit në qarkun e Durrësit.
Ai kërkoi që të mbështeten dhe fuqizohen edhe më shumë shërbimet detare dhe portuale që ky zhvillim të jetë më dinamik edhe i qëndrueshëm.
I pranishëm në këtë takim, kreu i Drejtorisë së Përgjithshme Detare, Paulin Ndreu tha se administrata detare është e përfshirë kohët e fundit në një nismë të madhe për përmirësimin e legjislacionit detar.
“Kemi përfunduar një pjesë të akteve ligjore dhe nënligjore të cilat do të lehtësojnë të gjitha procedurat e regjistrimit të mjeteve, në varësi edhe të ligjit të mëparshëm, ligji i turizmit dhe heqjes së akcizës për jahtet dhe mjetet turistike dhe jemi edhe në proces të miratimit të disa ligjeve të tjera.”
Nënkryetari i bashkisë Durrës, Florjan Tahiri tha se fokusi nuk duhet të ndalet vetëm tek turizmi blu, por të shihet Durrësi si një qytet që mund të bëhet turizëm në 365 ditët, duke përfshirë edhe arkeologjinë, botën nënujroe, agroturizmin etj..
Sipas, tij shtrirja e qytetit bregdetar nxit zhvillimin e ekonomisë blu.
“Projekte të tilla na ndihmojnë shumë për t’i dhënë një nxitje dhe një hov më tej ekonomisë blu të qytetit dhe të ardhmes,” vijoi ai.





