Vendi ynë është shumë i vonuar për të ecur përkrah vendeve të rajonit në zhvillimin e turizmit të detit dhe për këtë arsye ka nisur prej kohës diskutimi me grupet e interesit për një paketë të re ligjore.

Këtë qëllim kishte takimi i zhvilluar këtë të mërkurë në portin e Durrësit, në të cilin ministri i Turizmit dhe i Mjedisit Blendi Klosi, ka theksuar se ekonomia blu, ose turizmi i detit, janë një industri mjaft e rendësishme, e harruar prej vitesh, por që tani po merr vemendjen tonë maksimale.

Klosi tha se ashtu siç kemi një masterplan për zhvillimin e tokës, po hartojmë edhe masterplanin e zhvillimit të të gjithë vijës bregdetare, përgatitjen e kuadrit ligjor si dhe përgatitjen e burimeve njerëzore dhe kapaciteteve turistike për këtë qëllim.

Në kuadër të kësaj nisme kanë qenë disa veprime konkrete siç është: heqja e TVSH-së për mjetet lundruese me destinacion turistik, ndërkohë që Drejtoria e Përgjithshme Detare po punon për ndryshimet e duhura në mënyrë që të thjeshtohen procedurat për regjistrimin e mjeteve lundruese të shoqëruara edhe me lehtësirat fiskale për këtë qëllim. Klosi bëri thirrje edhe për kualifikimin e brezit të ri që të jetojë e të punojë me detin.

“Duhet të përfitojmë dhe të shfrytëzojmë mundësitë e mëdha që kemi nga ky pozicionim strategjik në zonën adriatiko-joniane dhe pastaj në të gjithë zonën e Mesdheut. Kjo politikë e re do të na kërkojë që të bëjmë më shumë thirrje për të kualifikuar një brez të ri që jeton me detin. Ne kemi vështirësi që të kemi kuadër të kualifikuar.

Jemi në Durrës ku kemi të paktën dy shkolla profesionale në qytet dhe në zonat përreth, dhe kemi nga ana tjetër shumë pak kuadër të kualifikuar që punon me detin.

Këto politika të reja, këto lehtësira të reja sa i përket politikës së detit, kërkojnë që të ngjallin dhe të rizgjojë një dimension të munguar qytetin më afër detit që kemi në Shqipëri, qytetin e Durrësit”, u shpreh Klosi.

Për këtë nismë po bashkëpunojnë ngushtë Ministria e Turizmit dhe ajo e Infrastrukturës. Përfaqësues të Autoritetit Portual, Durrës, Drejtorisë së Përgjithshme Detare dhe bashkisë Durrës, kanë ofruar mbështetjen e tyre duke vënë në dispozicion kapacitetet njerëzore të sektorëve që lidhen me turizmin.