Andriy Shevchenko është presidenti i ri i Federatës së Futbollit të Ukrainës.
Ish-sulmuesi i Dinamos së Kievit, Milanit dhe Chelseat ishte i vetmi kandidat në zgjedhjet e zhvilluara sot gjatë Kongresit të XXVI të Federatës, që u mbajt në Kiev.
Sheva ka marrë 93 vota nga 94 votues. Nominimi i tij u shoqërua me duartrokitje të gjata nga delegatët.
Nga viti 2016 deri në vitin 2021, legjenda e futbollit ukrainas ishte në krye të kombëtares dhe arriti rezultate pozitive.
Gjithashtu ai drejtoi edhe për pak kohë ekipin e Genoa gjatë sezonit 2021-2022.
Menjëherë pasi u zgjodh mbërriti urimi nga Milani, klubi me të cilin Shevchenko shkroi faqe të paharrueshme të futbollit botëror.
“Urime dhe fat të mirë për Andriy Shevchenko, President i ri i Federatës së Futbollit të Ukrainës. Suksese Sheva!”, thuhet në njoftimin e Djallit.
Me klubin milanez, Shevchenko fitoi trofeun e Champions League, Kupën e Italisë dhe Superkupën e UEFA-s në 2003, titullin kampion dhe Superkupën e Italisë në vitin 2004.
Ai fitoi dy herë titullin e golashënuesit më të mirë të Serie A, në sezonin 1999/2000 dhe 2003/04, të dyja herët me 24 gola.
Gjithashtu Sheva fitoi edhe çmimin prestigjoz “Topin e Artë” në 2004 pas një sezoni mbreslënës me “Djallin”.
Sheva u bë futbollisti i parë ukrainas që luajti 100 ndeshje me kombëtaren dhe është golashënuesi më i mirë i Ukrainës në histori me 48 gola.
Me shirtin e kapiteni Sheva, e dërgoi kombëtaren në tetë ekipet më të mira në Kupën e Botës 2006.





