Ish-trajneri i Shqipërisë, Edi Reja, ka analizuar progresin e Kristjan Asllanit te Interi. Mesfushori i kombëtare ka marrë më tepër minuta këtë sezon dhe në fundjavë do të jetë titullar në ndeshjen që zikaltrit do të luajnë kundër Fiorentina-s.
“Edhe pse ka luajtur pak, nuk ka humbur disa dhunti të jashtëzakonshme, ka vizion, mendon në mënyrë vertikale, sheh dritën për të dhënë pasimin e duhur. Nuk është e lehtë të marrësh vendin e Çalhanoglu, por Interi mund të rrijë i qetë me Kristjan, te ai shoh ende hapësira përmirësimi të pabesueshëm”, tha Reja.
“Menaxhimi mbajtjes së topit dhe i ndeshjes, ashtu siç duhet të jetë. Më shumë se sa të flasim për hapësirat e përmirësimit, duhet pyetur se si ta bëjmë të rritet: do të mjaftonte vetëm që të luante më shumë. Kur i thosha që te Interi ishte pak i mbyllur, ai më përgjigjej: “Mister, këtu mësoj çdo ditë…”. Ndoshta ka të drejtë ai, të stërvitesh me shumë kampionë të jep diçka më shumë. Dhe në fund, me shumë vendosmëri e cilësi, do të gjejë hapësirën e tij”, vazhdoi 78-vjeçari.
I pyetur nga gazetari italian nëse roli që ka tek Interit nuk i përshtatet, Reja shpjegoi:
“Jo, ka shumë personalitet brenda fushës, aty ku duhet. Nuk ka frikë, përkundrazi, me raste duhet edhe ta ndalësh paksa. Nëse më duhet të gjej një defekt, është ai që për t’u treguar të gjithëve që mund të jetë titullar, shpesh e tepron duke tentuar goditjen e rëndësishme. Këshilla ime është gjithmonë e njëjta, të luajë thjesht dhe e di që do të më dëgjojë”.





