Edhe pse prej dy ditësh Urgjenca e Spitalit Qendror në QSUT nuk funksionon, për shkak të një shkëndije elektrike në katin 2, në një dhomë teknike, ka ende qytetarë të cilët nuk e kanë mësuar dhe vijnë me makina private.

Por ata janë të detyruar të kthehen pas duke u orientuar për në ish-sanatoriumin e Tiranës, kur kanë probleme kardiake, për te Spitali i Traumës, kur ka nevojë për ndërhyrje kirugjikale apo në urgjencën e shërbimit infektiv kur ka temperaturë të lartë apo gjendje febrile.

“Po nuk e dinim, ku e dinim ne. Tani na thanë duhet të shkojmë në Sanatorium”, tha një qytetar.

“Po pyesim nga do shkojmë”, tha një tjetër.

Në katet e sipërme të spitalit qendror janë shërbime si kardiologjia, endokrinologjia, hematololgja e të tjera në të cilat vijojnë të marrin shërbim pacientët që ishin të shtruara më parë. Madje vetëm pak prej tyre u transferuan të dielën kur ra zjarri.

“Aty isha në kat të katër, as nuk e kam ndierë fare”, tha një pacient.

Në këto shërbime pranohen të shtruar vetëm ata të cilët e kanë shumë të domosdoshme trajtimin në një spital të nivelit tercial dhe që vijnë nga spitalet e rretheve me rekomandim nga mjeku.

Nuk ka ende një përgjigje se kur mund të kthehet në normalitet spitali qendror, pasi po testohen të gjitha sistemet, si ai gazit, sistemi elektrik hidraulik e me radhë, në mënyrë që të mos riskohet asgjë, madje as aparaturat diagnostuikuese, të cilat janë shumë të kushtueshme. TCh