Çdo ndeshje që luhet është një finale më vete për Kukësin, sepse çdo javë që kalon pa marrë pikë i afron edhe më shumë me Kategorinë e Parë. Kukësi vjen pas 13 ndeshjesh radhazi pa fitore dhe për më tepër pesë të fundit kanë dalë me zero pikë. Paraqitjet pozitive nuk i kanë munguar dhe është ky fakt që i mban ende me shpresa se edhe kthesa do të vijë, në mënyrë që ekipi të rivalizojë deri në fund. Kukësi kërkon pikë në “Niko Dovana”, por përpara kanë një “mal” me pengesa. Ajo që bie më shumë në sy është fakti që blutë kanë afërsisht gjashtë vite që nuk dalin me tri pikë nga ky stadium.

Për herë të fundit, kanë fituar më 15 shtator të vitit 2018 në shifrat 0 me 1 dhe atëherë shënonte sulmuesi Rexhinaldo. Respektivisht, kanë luajtur edhe 14-ë herë të tjera midis tyre gjatë kësaj periudhe, duke përfshirë edhe Kupën dhe bilanci është tërësisht në favor të durrsakëve që kanë koleksionuar shtatë fitore dhe po kaq barazime. Të premten është ndeshja e 15-të në “Niko Dovana” që nga fitorja e fundit e Kukësit dhe bëhen plot 1980 ditë që verilindorët tentojnë të mundin durrsakët në shtëpinë e këtyre të fundit. Me pak fjalë, mund të thuhet se Durrësi është një makth më vete për Kukësin, të cilit këtë javë i nevojitet më shumë se asnjëherë tjetër fitorja në kampionat.