Rey Manaj po e shijon futbollin e tij më të mirë në karrierë në aventurën tukre te Sivasspor.

Sulmuesi i kombëtares shqiptare kaloi një periudhë të errët pas largimit nga Barcelona B, por në Turqi ka gjetur versionin e tij më të mirë duke u kthyer në protagonist absolut.

Në 24 ndeshje mes Superligës dhe Kupës së Turqisë, 26-vjeçari ka shënuar 16 gola, ndërsa në këtë fundjavë ishte edhe pjesë e formacionit më të mirë.

Lidhur me paraqitjet e tij Rey Manaj, foli për televizionin “TRT” në Turqi, ku tregoi sekretin e formës së tij.

“Talenti nuk është asgjë përpara punës. Unë punoj shumë, godas portën dhe provoj goditjet pas çdo seance stërvitore. Kam qenë te Interi në një moshë shumë të re. Atje isha i pamatur, isha në një klub të madh. Presioni bëri që të mos jepja maksimumin tim. Megjithatë arsyeja se pse po shpërthej tani te Sivasspor është fakti se jam i pjekur dhe mund të nxjerr gjithçka nga vetja, është kulmi i fuqisë sime. Në vitin e shkuar, kishte shumë ekipe nga Turqia që më donin, por ekipi i parë ishte Sivasspor dhe unë i kisha dhënë një fjalë presidentit, nuk mund t’i dilja nga fjala. E di që ka shumë ekipe që më duan, por tani jam i fokusuar vetëm te Sivaspori”, është shprehur Manaj. 

Manaj iu bashkua Sivasspor-it, pasi mbylli bashkëpunimin me ekipin anglez të Watford, duke nënshkruar një kontratë për tri vite. 

Besimi që turqit i dhanë sulmuesit lushnjar ju shpërblye, pasi Manaj po shkëlqen dhe nëse në merkaton e verës do të interesohen për të, Sivasspor do të kërkojnë 10 milionë euro për shërbimet e tij.