Kylian Mbappe ka njoftuar drejtuesit e Paris St-Germain se do të largohet nga klubi në fund të sezonit.
Marrëveshja e 25-vjeçarit me kampionët e Ligue 1 përfundon në qershor dhe ai ka qenë shumë i lidhur me një kalim te Real Madrid.
E ardhmja e Mbappe ishte temë e një përplasjeje të madhe me PSG verën e kaluar. Në një moment, Mbappe u përjashtua nga skuadra e ekipit të parë dhe u la jashtë turneut para-sezonal të klubit në Azi.
Sidoqoftë, u arrit një marrëveshje që siguronte që PSG të mos humbiste kur Mbappe përfundimisht të largohej.
Sulmuesi ka një klauzolë zgjatjeje njëvjeçare, kështu që pritet që largimi i tij të përfshijë ose një shitje me një tarifë transferimi ose sakrifica financiare nga ana e lojtarit.
Ndërsa PSG do të kishte dashur që Mbappe të qëndronte në klub, largimi i tij duket se do të vijë pasi ata synojnë të ndërtojnë një skuadër më të re dhe të largohen nga plani i ‘Galacticos’, që ka parë gjithashtu largimin e sulmuesit argjentinas Lionel Messi dhe brazilianit Neymar.
Mbappe, i cili fitoi Kupën e Botës me Francën në vitin 2018, vlerësohet se fiton rreth 200 milionë euro në vit.
Pas divorcit me PSG-në, Real Madridi ia ka dërguar një kontratë sulmuesit francez, por ajo është më e vogël sesa propozimi i vitit 2022. Gjithashtu paga e ofruar nga “Los Blancos” është më e ulët se ajo që aktualisht merr te PSG.
Real Madridi dëshiron që Mbappe t’i bashkohet klubit sipas kushteve të tyre, pasi kanë shpenzuar vite në këtë saga.
Gjatë aventurës me PSG-në, Mbappe ka shënuar 243 gola dhe ka dhënë 93 asiste në 290 ndeshje duke e ndihmuar klubin të fitojë pesë herë titullin e Ligue 1.





