Nga Bujar QESJA
Dita e 21 shkurtit 2024, erdhi e bukur si pranverë e parakohshme. Rutinën e përditshme, e cënon lajmi trishtues i largimit nga jeta të Rrapi Toskës. Nuk e di sa ditë, javë, apo muaj mund të kenë kaluar, kur e shikoja tek ecte në krah të së shoqes së shtrenjtë Hatixhe Rekës. Vinin në një nga lokalet e shumta, pranë zonës së Muzeut të Luftës dhe bënin adetin e përditshëm të qendrimit për kafe. Çift të urtësh, nga ajo që qytetaria durrsake i ka në arkivë.
Rrapi në tetor të vitit të kaluar, mbushi 86 vite jetë dhe i bie që mbi këtë të qendrojnë edhe disa muaj. Nuk e di arsyjen e largimit nga jeta, por di këtë tjetrën, që kjo moshë sëmundjen e ka bashkudhëtare. E shikoja të fortë fizikisht dhe mbi gjithçka të qetë shpirtërisht.
Jemi të lagjes numur 4 dhe rrugicë fare e ngushtë, na i ndante banesat. Dera e shtëpisë ku lexohej Rrapi Toska, vinte përballë rrugës së poshtme dhe krijonte dalje nga fermentimi i duhanit, sot “Blu Stari”. Rrugicë e vjetër e Durrësit kjo e Rrapi Toskës, ku në vite kanë jetuar familje të hershme dhe me taban si Rexhat, Kaditë, Koretat, Lalat, Dritat, Fanët, Haverikët, Çullhajt etj.
Rrapi Toska, nisur që nga fëmijëria e hershme vjen në kujtesën time, si burrë i urtë, i mënçur, por veçanërisht me një ecje si “nuse me tel”, ku në fytyrë i varej buzëqeshja duke i dhënë nur fisnikësh. Bëhet me familjen e Rexhep Çitakut, madje me Cikun (Ali Çitakun) janë në profesione të njëjta dhe kanë lënë gjurmë në radioteknikën durrsake. Duke ndjerë fuqinë profesionale të Rrapi Toskës dhe Cikut, Durrësi kthehet jo vetëm në qendër detarie, por edhe të elektronikës.
Punoi në pjesën më të madhe të kohës në Shtëpinë e Pionierit Met Hasa, ku përgatiti me qindra mjeshtra të kësaj elektronike, që në kohën e sotme bën ligjin e zhvillimit. Ishte mjeshtër nga më të mirët, por edhe njeri tejet i veçantë, ku zemra e bardhë dhe e pastër si kristal, ishte njesuar me shpirtin e madh dhe të ndjeshëm.
Në këtë moment të dhimbshëm për familjen, nuk mund të pritja për të gërrmuar hollësi për jetën dhe veprimtarinë e Rrapi Toskës, por e shkruajtura shpejt dhe me tregues të akumulimit miqësor dhe mbase pak edhe në distancë, më justifikon nga detaje të biografisë së tij.
E çrëndësi ka kjo, kur e përgjithmja në rastin e Rrapi Toskës përmblidhet thjesht dhe bukur:
U nda nga ne pjesë aktive dhe me ndriçim i qytetarisë durrsake, pjesë thelbësore e saj. Lagja 4 ka nxjerrë shumë emra të famshëm, që mund të gaboja nëse merrja përsipër t’i rendisja një e nga një, por Rrapi Toska është pjesë e kësaj elite qytetarësh dhe me rrënjë të thella në këtë Durrësin tonë.
Rrapi lidhi jetën me Hatixhenë, pjesë e fisit të njohur të Rekajve, ku vëllai i saj është themeli i boksit durrsak dhe jo vetëm Ilmi Reka. Familja e tyre u shtua me vajzën Sonila dhe djalin Gëzim dhe më pas u zgjerua me nipër dhe mbesa. Jo pa qëllim kam vendosur këtë pamje të Rrapit tonë të shtrenjtë, në mes nipërish dhe mbesash dhe në krah të bashkshortes së mrekullueshme, për ti dhënë sfondin e vazhdimësisë, të kujtesës dhe mos harresës.
Kemi humbur Rrapi Toskën, që nuk është vetëm i shoqi Hatixhes, as vetëm babai i Sonilës dhe Gëzimit dhe as gjyshi i përvëluar i trashigimtarëve të fisit, por edhe shokun, mikun, bashkëqytetarin e mrekullueshëm. Një qytetar fisnik më pak, një detyrim më shumë, për t’ dhënë kujtesën e përjetësisë së merituar.
Kemi humbur Rrapi Toskën! Dhimbje dhe trishtim! Dheu i lehtë i miri ynë, i mënçuri ynë, duararti ynë, qytetaria e jonë Rrapi Toska!