Teuta arriti më në fund të linte zonën e ftohtë, por jo plotësisht. Pasi objektivi i radhës është evitimi i vendit të tetë. Fitorja e fundit 3-0 me Erzenin bëri që djemtë e Edi Martinit të parakalojnë pikërisht kundërshtarët që kishin përballë. Dhe të rrisin kuotat për qëndrimin mes më të mirëve.
“Djemtë e Detit” kanë patur një ecuri të shkëlqyer në javët e fundit, pasi kanë marrë 10 pikë në 5 takimet e fundit. Mbi të gjitha, durrsakët ia kanë dalë që të fitojnë përballë Kukësit dhe Erzenit, kundërshtarëve të drejtpërdrejtë në garën e mbijetesës.
Teuta e sheh veten vetëm 2 pikë larg Laçit. Skuadra e Martinit ka rregulluar problemet në prapavijë, teksa nga pesë ndeshjet e fundit e ka mbajtur portën e paprekur në katër prej tyre. Meritë pa dyshim ka dhe portieri Elton Vata, i cili prej 6 ndeshjesh ka marrë vendin e titullarit dhe po e shpërblen më së miri besimin e shkodranit Martini.
Skuadra ka pësuar vetëm një humbje gjatë kësaj periudhe që 25-vjeçari kuksian ka marrë çelësat e kuadratit të portës.