Këto janë pamjet e grabitjes në argjendarinë në Rrugën e Dibrës në kryeqytet, ngjarje e ndodhur më 14 mars. 

Në video shihet momenti kur autori i dyshuar, 43-vjeçari Afrim Dulaj Farruku, ka prerë me sharrë pjesën e çatisë dhe nga aty i tërheq varëset e floririt me grep. 

Gjithashtu është zbuluar se ky shtetas ka kryer edhe grabitjen e një dyqani celularësh në Myslym Shyr nën kërcënimin e armës më 9 shkurt. 

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 2, dhe Komisariati i Policisë Nr. 4, operacioni policor i koduar “Golden hummer”.  

Zbardhen dhe dokumentohen me prova ligjore, vjedhja në kërcënimin e armës, në një dyqan celularësh, e ndodhur në muajin shkurt, si dhe vjedhja në një argjendari në Rrugën e Dibrës.  

Vihet në pranga një 43-vjeçar, si autor i dyshuar.  

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës intensive për zbardhjen e dy vjedhjeve të ndodhura në zonat respektive, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Golden hummer”, për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore, të autorit të dyshuar.  

Si rezultat i këtij operacioni u ndalua shtetasi A. D. (F)., 43 vjeç, banues në Tiranë. 

Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se ky shtetas, më datë 09.02.2024, dyshohet se në kërcënimin e një arme zjarri pistoletë, ka vjedhur disa aparate celulare, në një dyqan në rrugën “Myslym Shyri”, dhe më datë 14.03.2024, ka vjedhur disa aksesorë floriri në argjendarinë e shtetasit E. K., në Rrugën e Dibrës.  

Materialet procedurale i kaluan Prokurisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”,-njofton policia.