Mbrëmjen e djeshme, avokat Andrea Zotaj pjesë e Dhomës së Avokatisë, Gjirokastër, i ka shpëtuar mrekullisht një atentat i kryer në Memaliaj.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën e vjetër te fshatit Qesarat, teksa avokat Zotaj i shoqëruar nga nipi i tij, ishin duke shkuar në zonë me autoveturën e tyre.

Ndërsa u kishte zënë pritë Fatos Lamaj 36-vjeç, nga fshati Ane Vjosë Njësia Administrative Qesarat Bashkia Memaliaj.

Sipas avokatit Zotaj, Lamaj i kishte zënë pritë për t’a ekzekutuar, por fati ka qenë me avokatin i cili përmes një manovrimi të rrezikshëm të automjetit që drejtonte, arriti t’i shmangej goditjeve të plumbave të shkrehura nga ana e agresorit Lamaj.

Avokati Zotaj, është shprehur se ngjarja ka qenë për shkak te detyrës, pasi 2 netë më parë agresori ishte kapur nga policia dhe ishte mbajtur 1 dite ne paraburgim duke e liruar më pas, për shkak të një konflikti me një të afërmin e tij.

Pasi kishte dalë nga paraburgimi, Lamaj rrëmbeu automatikun duke i zënë pritë avokatit. Pasi i ka shpëtuar ekzekutimit, avokati Zotaj ka denoncuar në Stacionin Policor ngjarjen e më pas grupi hetimor, ka shkuar në vendngjarje ku ka gjetur gëzhojat e shkrehura nga kallashnikovi, e më pas ka bërë të mundur arrestimin e agresorit Lamaj.