Edicioni i dytë i Durrës Opera Art of Singing, me ideator dhe organizator mjeshtërin durrsak Gëzim Myshketa, mbledh në Durrës emrat më të mëdhenj të operës.

Durrësi do të mirëpresë nga 1 deri më 5 korrik 2026 edicionin e dytë të DOA – Durrës Opera Art of Singing, një ngjarje që tashmë po konsolidohet si një nga aktivitetet më prestigjioze të muzikës klasike dhe operistike në Shqipëri dhe rajon. Pas suksesit të edicionit të parë, DOA rikthehet me një program edhe më ambicioz, duke sjellë në qytetin bregdetar pedagogë, artistë dhe personalitete të njohura të skenës operistike ndërkombëtare.

Nën drejtimin artistik të Maestro Gëzim Myshketa, themelues i këtij projekti, DOA është shndërruar në një platformë ku talentet e reja shqiptare dhe të huaja nga të gjithë anët e globit, kanë mundësinë të përfitojnë nga eksperienca e disa prej emrave më të respektuar të botës së operës. Vizioni i Myshketës nuk kufizohet vetëm në organizimin e një masterclass-i, por synon krijimin e një tradite kulturore që e pozicionon Durrësin si një qendër të rëndësishme të artit vokal në Mesdhe.

Nga 1 deri më 4 korrik, në ambientet e Shkollës së Mesme Artistike “Jan Kukuzeli”, do të zhvillohen masterclass-et e nivelit të lartë artistik, të udhëhequra nga Maestro Richard Valentine Barker dhe Maestro Federico Longhi de Giusti, dy emra me reputacion ndërkombëtar në interpretimin dhe pedagogjinë operistike. Këto ditë intensive studimi do t’u japin pjesëmarrësve mundësinë të punojnë drejtpërdrejt me artistë që kanë interpretuar në skenat më prestigjioze evropiane.

Kulmi i aktivitetit do të jetë Koncerti i Finalistëve, më 5 korrik 2026, ku publiku do të ketë mundësinë të ndjekë performancat më të spikatura të pjesëmarrësve dhe ndarjen e Çmimit “Giuliano Ciannella”, një homazh për tenorin e madh italian, Çmimi “Universiteti Aleksandër Moisiu” i cili do jepet nga Rektori Prof. Dr. Shkëlqim Fortuzi, si dhe Çmimit të Publikut “Qyteti i Durrësit” nga Kryetarja e Bashkisë Emiriana Sako.

Një nga elementët që e veçon DOA 2026 është niveli jashtëzakonisht i lartë i jurisë ndërkombëtare, e përbërë nga personalitete me autoritet të padiskutueshëm në muzikën klasike dhe operistike si Sopranoja me famë botërore Inva Mula, Dott. Giovanni Vegeto, Sig. Federico Tondelli, Maestro Richard Valentine Barker, Maestro Federico Longhi de Giusti, Maestro Arben Llozi, Maestro Zhani Ciko, Maestro Gëzim Myshketa, Maestro Jusuf Beshiri.

Prania e kësaj jurie e vendos DOA në të njëjtin standard me akademitë dhe festivalet më serioze evropiane të operës, duke garantuar një vlerësim profesional dhe një mundësi reale promovimi për artistët pjesëmarrës.

Ky aktivitet nuk është vetëm një ngjarje artistike, por edhe një investim i rëndësishëm në identitetin kulturor të Durrësit. Për disa ditë, qyteti shndërrohet në një pikëtakim të artistëve, pedagogëve, studentëve dhe dashamirësve të muzikës klasike nga vende të ndryshme, duke promovuar jo vetëm artin, por edhe turizmin kulturor, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe imazhin e Durrësit si një qytet që kultivon ekselencën.

Një rol të rëndësishëm në realizimin e këtij projekti luan Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës (UAMD), partner strategjik i aktivitetit, i cili vazhdon të dëshmojë angazhimin e tij në mbështetje të jetës artistike dhe zhvillimit kulturor të qytetit. Bashkëpunimi i universitetit me organizatorët përfaqëson një model të suksesshëm të ndërthurjes së arsimit të lartë me kulturën dhe diplomacinë artistike.

Po aq e rëndësishme është edhe mbështetja institucionale e Bashkisë Durrës, e cila vijon të promovojë iniciativa që rrisin profilin ndërkombëtar të qytetit dhe pasurojnë kalendarin kulturor të tij. Partneriteti ndërmjet institucioneve publike, universitetit dhe komunitetit artistik dëshmon se investimi në kulturë është investim në zhvillimin afatgjatë të qytetit.
Edicioni i dytë i DOA – Durrës Opera Art of Singing konfirmon se Durrësi nuk është vetëm qyteti i historisë mijëravjeçare dhe i turizmit bregdetar, por po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një qendër të rëndësishme të kulturës dhe artit ndërkombëtar. Kur emra të mëdhenj të operës botërore zgjedhin të mblidhen në Durrës, kjo është një dëshmi se qyteti po fiton një dimension të ri në hartën kulturore të Evropës.

DOA 2026 nuk është thjesht një festival. Është një vizion, një investim në brezin e ri të artistëve dhe një ambasador i kulturës shqiptare në arenën ndërkombëtare.