Një ngjarje e rëndë u regjistrua mbrëmjen e 31 marsit në Shkozë të Tiranës, ku pas një sherri mes dy grupesh me të rinj, humbi jetën 18-vjeçari Aurelio Dervishi. Adoleshenti u qëllua me thikë në gjoks nga bashkëmoshatarët e tij, të cilët pas krimit u larguan menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Policia ka bërë të mundur kapjen e katër autorëve, në zonën e Farkës në Tiranë. Ata janë shoqëruar në ambientet e policisë, ndërsa po vijohet me hetimet për të përcaktuar rolin e gjithsecilit në këtë ngjarje të rëndë që i mori jetën 18-vjeçarit.
Paraprakisht dyshohet se shkak për sherrin mes të rinjve është bërë një vajzë.
Sherri mes të rinjve ndodhi në zonën e Shkozës rreth orës 21:50 të 31 marsit. Të rinjtë ishin me dy makina, ata kanë zbritur dhe janë konfliktuar me thika. Aurelio Dervishi, i cili ishte pasagjer në një prej mjeteve, humbi jetën rrugës për në spital. Autorët u larguan me një mjet tip ‘Volkswagen Tiguan’, por tashmë janë kapur nga uniformat blu.