Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla iu përgjigj opozitës mbi akuzat ndaj ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, se ka blerë një automjet me vlerë 150 mijë euro.
Balla iu drejtua deputetëve të opozitës, duke iu thënë se para se të drejtojnë gishtin ndaj ministrit, duhet të kërkojnë informacion zyrtar në Parlament.
“Çdo media duhet të ketë të publikuar kush është pronësia, kush janë gazetarët, të cilët shkruajnë me emra fake apo prodhojnë lajme fake. Iu them deputetëve të opozitës se para se të ngrenë gishtin për një lajm që vjen nga një media, nëse duan informacion, të shkruajnë letër, ta dërgojnë sipas procedurës parlamentare dhe të jenë të sigurt që do të marrin përgjigje. Ka marrë fund koha e Saliut dhe Topallit, ku ishte urdhër i kësaj të fundit që deputetëve të opozitës të mos iu kthehet përgjigje. Ndaj, drejtohuni me shkrim dhe merrni përgjigje. Përpara se të ngrini gishtin e akuzës ndaj qeverisë, duhet të shihni arsyet që e kanë çuar rafinerinë e Ballshit në atë situatë dhe kjo ndodhi pas privatizimit nga Sali Berisha. Duhet hapur një hetim për atë çështje, ashtu siç duhet hapur dhe hetimi për masakrën e Gërdecit”, tha Balla.





