Granada nuk fal para Teutës. E para ndeshje në La Liga ka kaluar me sukses për spanjollët, teksa kanë mposhtur 2- 0 Atletiko Bilbaon.Përtej dilemave të krijuara prej kalendarit, skuadra e drejtuar nga Diego Martines nuk e ka diskutuar trepikëshin në kampionat. Ata do të vijnë në Shqipëri më të qetë se kurrë dhe mbi të gjitha me moral të lartë. Pas një pjese të parë të kujdesshme, të dytën e nisën vrullshëm.

Një gol me kokë i Herrerës në të 49-ën e ajo gjuajtje nga jashtë zone e Mijas në të 53-ën i kanë mjaftuar kundërshtarit të “djemve të detit” për të fituar javën e parë të sezonit 2020-2021. Tashmë te Granada janë përqendruar te turi i dytë i Ligës së Europës dhe duhet thënë që durrsakët nuk i njohin aspak.

Këtë të paktën ka deklaruar Roberto Soldado për mediat në Spanjë. Sulmuesi e thotë hapur se ende nuk kanë asnjë informacion për Teutën dhe as që ia kanë idenë se çfarë do t’i presë në “Niko Dovana”.

“Po flitet më shumë për kalendarin, sesa për faktin që po fillon kampionati. E dimë që ka përplasje mes federatës dhe La Liga, por as normale nuk është që të jemi pezull për ditën se kur do të luajmë. Nuk mund ta mësojmë axhendën në momentin e fundit.

Të gjithë po pritnim me padurim që të fillonim sa më mirë këtë vit shumë të bukur. Për të kaluar te kundërshtari që kemi në Europë, nuk i kemi studiuar në fakt dhe nuk dimë atë që na pret atje. Nuk dimë çfarë niveli do të shfaqim ne dhe as atë të kundërshtarit”, pranoi sulmuesi.