Banka e Shqipërisë njoftoi sot se, në datën 28 maj 2024, do të hedhë në qarkullim, monedhën metalike shqiptare me vlerë nominale 10 Lekë, me kurs ligjor, emetim i vitit 2023.
Sipas BSH-së, nga data 28 maj 2024, monedha metalike me vlerë nominale 10 Lekë, me kurs ligjor, emetim i vitit 2023, do të përdoren si mjet pagese paralelisht me të gjitha monedhat metalike ekzistuese në qarkullim të kësaj prerjeje, emetime të viteve të mëparshme.
Monedha metalike me vlerë nominale 10 Lekë, emetim i vitit 2023, kanë të njëjtën përbërje, pamje, përmasa dhe peshë me emetimin e fundit të kësaj prerjeje.
Ndryshimi nga emetimi i fundit qëndron tek viti i emetimit i shtypur në trupin e monedhës metalike, i cili në monedhat e reja do të jetë “2023”.
Rishtypja e monedhave metalike shqiptare me kurs ligjor, me vlerë nominale 10 Lekë, është miratuar me vendimin të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, vitin e kaluar në mbështetje të ligjit “Për Bankën e Shqipërisë”, i ndryshuar.