Partia Demokratike vijon të denoncojë raste, që sipas tyre qytetarët ende nuk kanë gjetur zgjidhje për banesat pas prishjes së tyre për shkak të tërmeteve të vitit 2019.
Kësaj here, zëdhënësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ishte në Kombinat në një prej zonave më të prekura nga tërmeti i shtatorit dhe i nëntorit.
Ajo u ndal në familjen e Nikë Prendit, të cilit i është shkatërruar plotësisht shtëpia që në tërmetin e parë, më 21 shtator.
“Ai ende sot banon në një barakë të cilën e ka ndërtuar me dërrasa që i kanë falur komshinjtë, pasi bashkia nuk i ka dhënë edhe një çadër. Edhe pse ai bashkë me bashkëshorten janë dy të moshuar të sëmurë dhe me ilaçe, jetojnë jashtë çdo kushti normal”, thuhet në njoftimin e PD-së.
Nikë Prendi thotë se i ka humbur shpresat te shteti pasi ka 1 vit që endet dyerve të bashkisë, por askush nuk i ka ardhur në ndihmë.
“Unë jam Nikë Prendi, që në Shtator më është prishur shtëpia nga tërmeti dhe kërkoj ndihmë nga shteti që të më ndihmojë. Këtu, kam blerë dërrasat edhe më kanë dhënë komshinjtë, më kanë falur pak. Kam qenë 50 herë te bashkia, te emergjencat dhe nuk më ka ndihmuar njeri hiç. Më njohin të gjithë atje, i kam bezdis”, thotë Prendi, i cili shton se deri më tani nuk ka marrë asnjë ndihmë për shtëpinë.





