Funksionet e gjendjes civile do t’i kenë edhe nëpunësit në konsullorë, me kompetenca të mirëfillta si nëpunësit e gjendjes civile brenda vendit. Me ndryshimet e fundit në ligjin “Për Gjendjen Civile”, synohet të përmirësohen shërbimet publike, për t’i bërë më interaktive në marrëdhënie me qytetarët e biznesin.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla, u shpreh në seancën plenare se me këto ndryshime, plotësohet paketa e ndryshimeve, që lidhet me revolucionin dixhital të shërbimeve.
“Ofrimi i këtij shërbimi më fleksibël konsiderohet dhe për pjesën e madhe të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit e të cilët i përshëndesim sepse në fund të fundit, ky është një ligj që u vjen drejtpërsëdrejti në ndihmë të gjithë bashkatdhetarëve tanë që jetojnë jashtë territorit, e të cilat, të cilët lëshohen sipas formatit për përdorim jashtë vendit, si një aspekt tjetër lehtësues në plotësimin e nevojave të tyre administrative në shtetin e huaj ku zhvillojnë veprimtarinë e tyre”, nënvizoi Balla, duke kërkuar dhe votat e opozitës.