U mbajt për herë të parë në Durrës konkursi i bukurisë “Miss Kids Beauty 2024”.

Eventi i bukurisë ku morën pjesë 34 vogëlushe nga Durrësi, të moshave nga 6-11 vjeçe kurorëzoi si fituese të parë të tij 6-vjeçaren Cataleya Seferi.

Ndërkohë dy shoqërueset e para të Miss Kids ishin dy bukuroshet Alisja Kilica dhe Gloria Xharra.

Eventi që regjistroi edicionin e tij të parë u organizua nga producenti Xhoni Mërkuri, i cili pak muaj më parë organizoi konkursin tjetër të bukurisë “Miss dhe Mister kids model of Dyrrah”.

Për Mërkurin, nisma për të organizuar evente të tilla lindi nga dëshira për t’i rritur fëmijët me frymën e artit, kulturës dhe të bukurës.

“Ky event ka qëllim parësor edukimin kulturor dhe ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore, që duhet t’i trashëgohet fëmijëve brez pas brezi”,- tha për “DurrësLajm” producenti i spektaklit të bukurisë.

Gjatë spektaklit nuk munguan sfilatat e konkurenteve të vogla të veshura me kostume popullore dhe veshje skenike.

Në top 5-shen e më të bukura të konkursit Miss Kids Beauty 2024 ishin dhe bukuroshet Klea Kurti, Vanesa Karasaliu dhe Enxhi Kume.

M.B.