Për të diskutuar mbi sfidat e sezonit turistik në Durrës dhe vijën bregdetare të njësisë administrative Ishëm, deputeti Jurgis Çyrbja ka qenë i ftuar mbrëmjen e djeshme në emisionin “Zona zero” përballë gazetarit Milaim Zeka.

Duke marrë shkas nga propagandat e fundit që janë bërë nga qarqet e ndryshme antishqiptare në Ballkan, portale e media të ndryshme të sponsorizuara herë nga Serbia dhe herë nga Rusia, që Shqipëria nuk ofron asgjë për turizëm, madje ka dhe disa portale në Kosovë ku shkruajnë që në Jugun e Shqipërisë dëgjohet muzike serbe, Çyrbja, i cili është deputeti i vetëm në listën e 14 deputetëve të qarkut të Durrësit që promovon prej kohësh benefitet dhe bukuritë natyrore që ka zona administrative që ai mbulon në Ishëm dhe Gjirin e Lalzit, edhe këtë herë u ndal për të theksuar se pse duhet ta zgjedhin pushuesit këtë zonë.

“Është një bukuri e rrallë. Kjo zonë ofron dhe turizëm kulturor, është e vetmja njësi administrative në Shqipëri që përfshin dy kala, kalaja e Ishmit ku pranë saj prehet dhe trupi i piktorit me famë botërore Ibrahim Kodra, dhe kalaja e Skënderbeut në Kepin e Rodonit, e ndërtuar në Mesjetë.

Karakteristike e asaj zone është gastronomia, ku banorët kanë ndërtuar biznese të vogla familjare, që oforonë peshq të freskët që ka Kepi i Rodonit, ku kapen peshqit më cilësorë.

Gjithashtu ka edhe tufa me gjedhë, që rriten po nga banorët e zonës dhe shërbehet mishi i tyre i freskët në këto restorante.

Në atë vijë bregdetare janë edhe dy resorte me 5 yje, që ia kanë ndryshuar pamjen Lalzit.”

Deputeti Çyrbja komentoi edhe për procedurat ligjore që iu duhet të kalojnë investitorët e huaj kur vendosin të investojnë në vendin tonë.

“Çdo zonë ka planin e vet urbanistik të miratuar nga KKRRT dhe shihet plani e kushtet; zona ku lejohet ndërtimi dhe sipërfaqja ku lejohet të ndërtosh. Porcedurat janë të thjeshta më pas në bazë të ligjit.”

Duke u ndalur edhe tek investimi i kohëve të fundit, Çybja sqaron se për pushuesit që vijnë nga Kosova, rruga e re është shkurtuar me 2 orë, për të dalë direkt në bregdet.

“Pushuesit nga Kosova janë të shumtë që frekuentojnë në Gjirin e Lalzit. Para pak kohësh është krijuar një lehtësi, për pushuesit që vijnë nga Veriu dhe Kosova: qeveria shqiptare ka bërë një investim që të sjell në Gjirin e Lalzit, pra futesh në Thumanë e kalon në Gjuricaj të Ishmit dhe del direkt në bregdet, pra është shkurtuar 2 orë rrugë.”