Ditën e sotme, në Shtëpinë e Bardhë, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, do të takohen për të diskutuar rreth dialogut Kosovë-Serbi. Takimi do të zhvillohet edhe ditën e nesërme, ku ndërmjetës i takimit do të jetë edhe Këshilltari i Presidentit Trump për Sigurinë Kombëtare, Robert O’Brien, si dhe i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell. Në këtë takim pritet të jetë edhe presidenti i Amerikës Donald Trump.
Ndërkohë, Robert O’Brien ka deklaruar se bisedimet Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë do të avancojnë paqen midis dy vendeve përmes bashkëpunimit ekonomik.
“Unë pres që nesër të pres Presidentin Aleksandar Vuçiç dhe Kryeministrin Avdullah Hoti në Shtëpinë e Bardhë. Këto diskutime të rëndësishme do të avancojnë paqen përmes bashkëpunimit ekonomik,” ka thënë O’Brien në rrjetet sociale.
Kryeministri i Kosovës ka deklaruar para takimit me palën serbe se tema për të cilën do të diskutojnë ditën e sotme është mbi ekonominë, ndërsa më tej ka shtuar se nuk do të bëhet asnjë diskutim tjetër me Serbinë përveçse për njohje, marrëveshja e sotme për bashkëpunim ekonomik është një hap më afër normalizimit përfundimtar të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Të njëjtën gjë ka pohuar edhe i dërguari i Trump për dialogun, Richard Grenell i cili ka thënë se duhet lënë mënjanë politika, por sipas tij duhet çuar përpara ekonomia pasi për të rinjtë dhe popujt e këtyre dy vendeve vetëm kjo është e rëndësishme.
Takimi ishte planifikuar për në 2 shtator dhe më pas u shty për dy ditë. Axhenda për takimin që do të zhvillohet ditën e nesërme nuk është zbuluar, por të gjitha palët kanë konfirmuar se ato do të përfshijnë çështje të bashkëpunimit ekonomik. Po ashtu, më 7 shtator, në Bruksel pritet të takohen delegacionet e të dyja vendeve, të përfaqësuara në nivelin më të lartë politik, nga kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë.





