Shqipëria, Mali i Zi, Bosnja dhe zona të mëdha bregdetare në Kroaci u prekën të premten nga “black out”-i energjetik. Lajmi është raportuar edhe nga gjigandi mediatik britanik, ‘BBC”, që thotë se ndërprerja e energjisë ndodhi njëkohësisht në të gjitha këto vende në një kohë kur rajoni është përfshirë nga një valë i nxehti.
Madje sipas “BBC”, në Bosnje dhe Kroaci u fikën edhe semaforët duke krijuar kaos në Sarajevë, Split apo qytete të tjera të mëdha. Madje sipas britanikes në disa vende mungesa e energjisë ka zgjatur për disa orë dhe është mundur të rikthehet vetëm në mbrëmje.
Fillimisht ikja e energjisë elektrike u raportua rreth orës 13:00 me orën lokale ku edhe pompat e ujit u ndalën në Podgoricë.
Humbja e energjisë elektrike i dha gjithashtu një goditje sezonit turistik në vendpushimet kroate, me pushuesit në Dubrovnik që mbetën në rrëmujë pasi restorantet, baret dhe supermarketet mbyllën dyert.
Temperaturat, siç e kemi përjetuar, kanë shkuar deri në 40 gradë celsius. Ministri i Energjisë në Malin e Zi, Sasa Mujoviç doli në televizionin kombëtar ku tha se ka pasur një rritje të papritur të konsumit energjetik si pasojë e temperaturave të larta.
“BBC” raporton edhe në lidhje me Shqipërinë, më saktësisht deklaratën e zv/kryeministres njëkohësisht ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
“Në Shqipëri, zyrtarët thanë se e rikthyen energjinë elektrike pas gjysmë ore, por se kishte rrezik të lartë për të tjera “black out”-e, në një kohë kur përdorimi i energjisë është ende shumë i lartë”, shkruan “BBC”.
Media britanike thotë se në Ballkanin Perëndimor pavarësisht një përpjekjeje për të investuar në energjinë diellore, infrastruktura nuk është ende plotësisht e përgatitur për ndryshimin.