Një situatë dramatike dhe thellësisht tronditëse është zbuluar së fundmi në lidhje me Spitalin Onkologjik, ku pacientët me sëmundje të rënda janë lënë në mënyrë çnjerëzore për gjashtë muaj pa medikamentet jetike.
Një raport i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili ka audituar periudhën nga viti 2021 deri në vitin 2024, ka nxjerrë në dritë fakte rrëqethëse për mungesën e barnave, duke ngritur alarmin për menaxhimin e sistemit shëndetësor në vend.
I ftuar në emisionin “Ora e Betit”, në “Ora News”, ishte gazetari Osman Stafa i cili u shpreh se ndërkohë që institucionet shëndetësore publikojnë video propagandistike me depo të mbushura me ilaçe, realiteti i qytetarëve është krejtësisht i ndryshëm. Paradoksi arrin kulmin me një deklaratë skandaloze të bërë në një takim informal, ku raportohet se vetë ministrja aktuale e shëndetësisë ka pranuar para gazetarëve se ilaçet për familjarët e saj i siguron në Itali. Kjo deklaratë dëshmon një thyerje të thellë të besimit tek institucionet vendase dhe te sistemi i shëndetësisë publike.
” Është trishtim. Realisht është trishtim sepse domethënë unë kam bërë atë që mendoj se çdo gazetar do të duhet ta bënte prej pesë vitesh, sepse vetëm po të marrësh të lexosh raportin e KLSH-së i publikuar në vitin 2025, i cili ka bërë një lloj auditimi nga 2021-shi deri në 2024-ën për barnat onkologjike, ti vë duart në kokë. Se si pacientë të atij spitali, në formën më çnjerëzore, janë lënë gjashtë muaj pa ilaçe.
Propagandë. Po tani, tani ti kupto vetëm kaq, që në një takim informal, vetë ministrja aktuale e shëndetësisë i thotë gazetarëve që unë ilaçet e familjarëve të mi i marr në Itali. Vetëm kaq të kuptosh domethënë se në çfarë vendi ne jetojmë. Pra sa qesharake është për njerëzit, të cilët janë vetëdijësuar tashmë edhe shqiptarët. Çdo njeri që takoj që ka probleme me spitalet më thonë po i marrim ilaçet o në Greqi ose në Itali”, u shpreh Stafa.





