Rubin Hebaj refuzon të rikthehet në Shkodër dhe me shumë mundësi do të rinovojë kontratën me Teutën. Sulmuesi ishte në bisedime prej ditësh me drejtuesit e Vllaznisë dhe u mendua se do të pranonte ofertën, por ai u ktheu përfundimisht një përgjigje negative shkodranëve. Pas afrimit të qendërsulmuesit kenian Ismael Dunga, klubi mendoi të blindonte repartin ofensiv me afrimin e Hebajt.

Mirëpo, ndryshe nga sa mendohej, 22-vjeçari ka thënë “jo”. Në këto kushte, te Vllaznia janë të detyruar tashmë të fokusohen për afrimin e një sulmuesi tjetër, që me shumë mundësi do të jetë i huaj. Prej ditësh përflitet afrimi i maqedonasit Marko Simonovski.

Lojtari që ka mbyllur sezonin me ekipin rumun të Volunatarit nuk është bindur nga oferta e Vllaznisë, por gjithsesi ka lënë një “derë” të hapur dhe palët mund të rinegociojnë. Mësohet se 28-vjeçari nga Shkupi ka kërkuar shumë më tepër nga sa i ka ofruar Vllaznia. Megjithatë, çdo gjë do të shikohet në ditët në vijim.