“Nuk isha gati t’i tregoja askujt sepse kisha pësuar një abort spontan”, tha Mariah Carey për shtatzëninë e saj në vitin 2008.

Së fundmi, këngëtarja e famshme ka folur për momentin kur shtatzënia e saj u zbulua para kohe në “The Ellen DeGeneres Show” më shumë se një dekadë më parë.

Në një intervistë për “Vulture” , botuar të hënën, këngëtarja 50 vjeçare, tha se ndihej “jashtëzakonisht në siklet” pasi moderatorja e njohur, Ellen DeGeneres insistoi të zbulonte shtatzëninë e saj gjatë emisionit.

“Isha jashtëzakonisht në siklet në atë moment, kjo është gjithçka që mund të them. Dhe me të vërtetë e kam pasur të vështirë të përballem me pasojat”, tha Carey.

Gjatë intervistës në vitin 2008, DeGeneres, i kërkoi Carey-t të konfirmonte ose mohonte thashethemet në tabloide që ajo dhe burri i saj në atë kohë, Nick Cannon po prisnin një fëmijë. Ndërsa Carey qeshi me pyetjen dhe u përpoq të ndryshonte temën, DeGeneres nuk u tërhoq dhe i ofroi fitueses së Grammy-t një gotë shampanjë për të provuar nëse ishte apo jo shtatzënë.

“Ky është një presion”, i tha Carey ndërsa audienca qeshte. Kur Carey u përpoq të mashtronte duke pirë një gllënjkë, DeGeneres bërtiti, “Ti je shtatzënë!”

Në vitin 2010, Carey konfirmoi se ishte shtatzënë në kohën e intervistës, por abortoi pas disa kohësh (ky ishte aborti i dytë për këngëtaren). 

Ajo dhe Cannon, në vitin 2011 u bënë prindër të dy binjakëve, Monroe dhe Maroken, tani 9-vjeçarë.

“Nuk isha gati t’i tregoja askujt sepse kisha pësuar një abort spontan. Nuk dua t’i hedh më shumë benzinë zjarrit, por nuk e shijova atë moment”, u shpreh këngëtarja.