Juventusi pret Edin Xhekon brenda kësaj jave, që të zgjidhë situatën me Romën, por nëse boshnjaku nuk ia del të çlirohet nga verdhekuqtë, atëherë kampionët e Italisë kanë bërë shumë hapa përpara me Luis Suarezin.

Sulmuesi i Barcelonës, i cili i është ofruar “Zonjës së Vjetër” tri ditë më parë, vazhdon të punojë me menaxherin e tij, me shpresën se ndoshta mund të shkëputet edhe me parametër zero nga katalanasit, pasi trajneri i ri i spanjollëve, Ronald Kuman, e ka nxjerrë jashtë projektit.

Por edhe sikur kjo të mos bëhet realitet, nuk është se Juventusi do ta paguajë më shumë se 15 milionë euro kartonin e 33-vjeçarit, pasi kjo ka qenë edhe shifra e kërkuar nga nënkampionët e Spanjës.

Për më tepër, fakti që “Zonja e Vjetër” është shumë e projektuar drejt Suarezit në orët e fundit lidhet edhe me faktin se amerikano-jugori jo vetëm që ka pranuar që të ulë pretendimet e pagës së tij, deri në 7.5 milionët që ofron Juventusi, plus 2 milionë bonuse, por mbi të gjitha pasaporta italiane që ka sulmuesi katalanas nuk e pengon atë që të firmosë me torinezët.

Kjo, pasi klubi i kishte ezauruar vendet për ekstrakomunitarët, me afrimin e amerikanit Ueston MeKeni. Me pak fjalë, Juventusi e ka në dorë tashmë Luis Suarezin, ndonëse fillimisht do të presë edhe pak ditë për të mësuar për përgjigjen që do të marrë nga Edin Xheko dhe Roma.

KIEZA NË MODË – Ndërkohë, një tjetër lajm i bujshëm nga media italiane është ai se Fiorentina ka ftuar Juventusin që të mund të punojë hapur për blerjen e mundshme të Federiko Kiezës.

Ylli i vjollcëve ka qenë dhe mbetet një objektiv i bardhezinjve, por fakti që në Firence po tentojnë me çdo kusht që të arrijnë të Gonzalo Higuaini, mund të jetë pikërisht “Pipita” që mund të paguajë për të çliruar operacionin “Kieza-Juve”.

Fiorentina kërkon 60 milionë për sulmuesin e saj, por është gati që të mirëpresë vlerësimin prej 25 milionësh që Juventusi i bën Gonzalo Higuainit. Prandaj, për të bërë të vetin pas dy vitesh tentativa Kiezën, “Zonjë e Vjetër” duhet vetëm të lëshojë “Pipita”-n dhe të derdhë në arkat vjollcë edhe një shumë prej 35 milionësh, për të mbyllur pozitivisht tratativën.