Durrësi bëhet gati të mirëpresë një ngjarje të rëndësishme në datat 6-9 korrik.
Për herë të parë qyteti bregdetar hap dyert për 30 varka me vela, pjesë e eventit “Marina Militare Nastro Rosa Tour – Il giro dell Italia a Vela”.
Qyteti port do të jetë një nga 10 ndalesat e turit italian të varkave me vela, ku garojnë 30 mjete lundruese në 3 disiplina të ndryshme Offshore, Inshore dhe Boards. Këtë vit shënohet edicioni i katërt i këtij eventi.
Mesditën e së shtunës, në shëtitoren “Taulantia” do të hapet fshati turistik, ku të gjithë të apasionuarit pas varkave me vela do të mund të marrin të gjithë informacionin e nevojshëm për këtë tur, varkat pjesëmarrëse, 50 sportistët e përfshirë në këtë tur etj.
Gjithashtu ky fshat “është një vend plot me mundësi për të zhvilluar sinergji midis të gjithë pjesëmarrësve dhe për të promovuar në mënyrë efektive sportin, kulturën, shkencën, teknologjinë, solidaritetin dhe respektin për mjedisin”,- thuhet në njoftimin për shtyp që organizatorët kanë shpërndarë.
Ndërkohë mbrëmjen e së shtunës ose mëngjesin e së dielës pritet mbërritja e 30 varkave me vela pjesëmarrëse në këtë tur, të cilat do të mund të admirohen nga shëtitorja “Taulantia”.
Ky event sportiv do të shërbejë për promovimin e turizmit dhe bukurive të qytetit dhe vendit tonë.
Ceremonia e mikpritjes pritet të zhvillohet mbrëmjen e së dielës në shëtitore, ndërsa mëngjesin e së hënës, 9 korrik, varkat me vela do të largohen nga Durrësi drejt ndalesës të radhës të turit.