Momenti i artë që po kalon Teuta e bën entuziast edhe presidentin e saj, Edmond Hasanbelliun. Ai nuk e ka fshehur entuziazmin pas fitimit të Superkupës së Shqipërisë në “Elbasan Arena”, ndërsa shortin e Ligës së Europës e ka komentuar me nota humori.

“Është kënaqësi të fitosh trofe. Lojtarët kanë dhënë maksimumin, njësoj siç bënë edhe në finalen e Kupës së Shqipërisë po ndaj Tiranës. E merituan gjithçka me atë që bënë në fushë”, ka theksuar fillimisht numri 1 i klubit durrsak pas ndeshjes së mbrëmshme në Elbasan.

“Granada? Ajo është bombë, nuk quhet granadë (qesh). Është bombë për ne ky short. Në fakt, nuk e prisnim. Shorti ishte i vështirë, por do të bëjmë maksimumin. Kemi një skuadër të fortë dhe do të tentojmë të bëjmë gjithçka që mundemi. Patjetër që do të preferoja një kundërshtar më të lehtë se ky që na ra. Të gjitha skuadrat janë të forta, në këtë nivel, por kjo që na ra ne është super e fortë.

Është skuadër spanjolle dhe kur pamë që ka mundur edhe Barcelonën, na ka trembur shumë. Gjithsesi, çunat do të japin maksimumin, duke qenë se nuk kanë çfarë të humbin në këtë ndeshje. E kujtoj njëherë Realin e Madridit që luajti në Kupë dhe u eliminua nga një skuadër e vogël. Ne do ta provojmë dhe do ta luajmë atë ndeshje”, tha presidenti i Teutës.