Momente frike për Dungën dhe bashkëshorten e tij. Ish-kapiteni i Brazilit, kombëtare të cilën e ka drejtuar edhe si trajner në dy raste të ndryshme, është bërë pjesë e një aksidenti rrugor. Makina e tyre u përmbys ndërsa ishin në Campina Grande do Sul, në rajonin e Curitibas në vendlindje. Çifti u transportua menjëherë drejt spitalit për të marrë ndihmën e nevojshme. Pavarësisht lëndimeve të ndryshme, ish-mesfushori dhe gruaja e tij ishin të vetëdijshëm gjatë gjithë kohës.

Sipas raporteve të Policisë Federale, po binte shi kur Dunga humbi kontrollin e makinës. Policia ka kryer edhe testin e alkoolit, por ish-kapiteni i kombëtares Seleçao rezultoi negativ. Dunga e nisi karrierën në Brazil, për të luajtur më pas në Serie A, Bundesliga dhe Japoni.Me Kombëtaren regjistroi 91 ndeshje, teksa fitoi Kupën e Botës (1994), Kupën e Konfederatave (1997) dhe dy herë Kupën e Amerikës (1989, 1997).