Jahti luksoz King Benji, 47 metra i gjatë, u ankorua pasditen e sotme në portin e Durrësit.

Ndalesa nuk është vetëm për t’u furnizuar me karburant dhe marrë shërbimet e nevojshme, por edhe për të marrë në bordin e tij 10 pasagjerë, që do të bëjnë një udhëtim 7 ditor nëpër Adriatik.

Burime nga Kapitaneria bëjnë të ditur për “DurrësLajm” se mjeti lundrues luksoz është marrë me qira nga 10 shtetas me origjinë aziatike, ndërsa tarifa e qirasë varion nga 270.000 € deri në 300.000 € në javë.

Po sonte jahti do të largohet nga porti më i madh në vend për të nisur udhëtimin drejt Kroacisë,

Nga informacionet e publikuara në internet mësohet se jahti ofron një lundrim të paharrueshëm në det, ndërsa në 5 kabinat e tij komode mund të akomodohen 10 të ftuar.

KING BENJI është gjithashtu i disponueshëm për qira në rivierën franceze, Marsejë, bregun e Amalfit dhe balearikët gjatë gjithë verës. Gjatë dimrit, jahti KING BENJI merret me qira kryesisht në Bahamas, Ishujt e Virgjër Britanikë, Leewards dhe Windwards.