Zyra për të drejtat e njeriut e Kombeve të Bashkuara ka publikuar një raport në të cilin thuhet se palestinezët e paraburgosurit që nga sulmet e 7 tetorit janë përballur me privim të gjumit, elektroshok, torturë me ujë dhe tortura të tjera e keqtrajtime.

Raporti thotë se shërbimi i burgjeve i Izraelit se deri në fund të qershorit ka mbajtur më shumë se 9.400 të “paraburgosur për shkaqe sigurie” dhe disa janë mbajtur në fshehtësi, pa pasur qasje tek avokatët ose pa respektim të të drejtave të tyre ligjore.

Në përmbledhjen e raportit, që bazohet në intervistat me ish-të burgosur dhe burime të tjera, dënohet numri i madh i të burgosurve – përfshirë burra, gra, fëmijë, gazetarë dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut – dhe thuhet se praktika të tilla ngrenë shqetësime për ndalim arbitrar.

“Dëshmitë e mbledhura nga zyra ime dhe entitete të tjera tregojnë për një sërë aktesh të tmerrshme, sikurse, mes tjerash torturë me ujë dhe lëshimi i qenve ndaj të paraburgosurve. Këto akte janë në shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut dhe ligjit ndërkombëtar humanitar”, tha përmes një deklarate shefi i Zyrës për të drejtat e njeriut të OKB-së, Volker Turk.

Gjetjet e raportit mund të përdoren nga prokurorët e Gjykatës Ndërkombëtare Penale të cilët po hetojnë për krimet e kryera në lidhje me sulmet e 7 tetorit dhe ngjarjet që pasuan, përfshirë edhe fushatën ushtarake të Izraelit në Gazë, teksa ai po vazhdon luftën kundër Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Autorët e raportit thanë se përmbajtja e tij është ndarë me Qeverinë izraelite. Lufta në Gazë shpërtheu pas sulmit të befasishëm të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, kur u vranë afër 1.200 persona dhe u rrëmbyen 250 të tjerë.

Operacioni hakmarrës i Izraelit ka shkatërruar lagje të tëra në Gazë dhe ka detyruar pothuajse 80 për qind të popullatës të zhvendosen. Ministria e Shëndetësisë e Gazës ka thënë se më shumë se 39.000 palestinezë janë vrarë që kur ka nisur lufta.