Një tërmet me magnitudë 6.5 goditi të shtunën herët në mëngjes pranë ishullit Mindanao në Filipine. Lajmin e njoftoi Instituti i Vullkanologjisë dhe Sizmologjisë në vend.

Epiqendra e tërmetit ndodhet në zonën detare në lindje të qytetit Lingig dhe thellësia fokale llogaritet në 10 kilometra. Qendra Sizmologjike Euro-Mesdhetare (EMSC) dhe Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së (USGS) vlerësuan se tërmeti ishte me magnitudë 6.6 ballë, ndërsa nuk u dha asnjë paralajmërim për cunami.

Deri më tani nuk ka raportime për viktima apo dëme të konsiderueshme materiale. Filipinet janë të vendosura në të ashtuquajturën “Unaza e Zjarrit” e Oqeanit Paqësor, ku lëvizjet e pllakave tektonike shpesh shkaktojnë tërmete dhe aktivitet intensiv vullkanik.