Një taksë më pak, por qytetarët përsëri e paguajnë naftën e benzinën një lloj.
Ulja e cmimit të karburanteve në bursat ndërkombëtare por dhe heqja e taksës së markimit pritej të reflektohej edhe në faturat e qytetarëve që përdorin automjetet duke filluar nga 1 gushti, por nuk ka vend për optimizëm.
Ka kaluar pothuajse 1 javë nga heqja e taksës së markimit 1 lekë/litër.
Nga një vëzhgim i thjeshtë në tregun e karburanteve në kryeqytet rezulton se nuk kemi një lëvizje të çmimeve krahasuar me një muaj më parë, kur ky koncension ishte ende në fuqi dhe qytetarët paguanin më shumë taksa.
Ndonëse koncensioni i markimit të karburanteve 1 lekë për 1 litër naftë përfundoi në fund të korrikut dhe kostot i kaluan buxhetit të shtetit kjo nuk është përkthyer në një ulje të çmimeve për konsumatorin fundor, çka do të thotë që qytetarët ende e paguajnë si naftën por dhe benzinën rreth 182-184 lekë dhe gazin për 57 lekë.
Janë rreth 7 taksa dhe tarifa vendore, të përfshira në çmimin e një litri naftë, duke nisur nga akciza, taksa e qarkullimit, TVSH-ja, taksa e karbonit, si dhe tarifat e tjera.
Por asnjë taksë më pak por dhe një ndryshim i çmimeve në bursat ndërkombëtare nuk po i luhat cmimet në tregjet shqiptare. Sipas bursës “Platts” në blerjen e fundit nafta u tregtua me 722$/ton nga 794$/ton në fillim të korrikut.
Ndërsa Drejtoria e Doganave bën të ditur se kërkesa për karburante në pikun e sezonit turistik ka qenë shumë herë më lartë se më parë. Vetëm në korrik u zhdoganuan mbi 67 mijë ton karburante.