Kandidatja e demokratëve për presidente të Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris e ka ngushtuar në dy emra listën se kë të zgjedhë për të garuar në pozitën e nënpresidentit, në zgjedhjet e 5 nëntorit.
Sipas burimeve të agjencisë së lajmeve Reuters, Harris do të zgjedhë në mes të guvernatorit të Pensilvanisë, Josh Shapiro apo atij të Minesotas, Tim Walz.
Harris, nënpresidente e Shteteve të Bashkuara, pritet të bëjë të ditur emrin të martën, para se të bëjë daljen e parë publike me kandidatin për nënpresident, në një organizim të Universitetit Temple në Filadelfia.
Ai organizim do të shënojë nisjen e një tuneu pesëditor në shtatë shtete të ndryshme amerikane, me qëllim të rritjes së mbështetjes para zgjedhjeve presidenciale.
Zgjedhja e kandidatit për biletë presidenciale është ndër vendimet më të rëndësishme në karrierën politike të Harrisit, teksa ajo tenton të mposhtë kandidatin e republikanëve, ish-presidentin, Donald Trump dhe senatorin amerikan, J.D. Vance, të përzgjedhur prej Trumpit si kandidat për nënpresident.
Shapiro, 51 vjeç, është yll në rritje në parti dhe ka mbështetje të konsiderueshme në Pensilvani, shtet kyç për fitoren e një kandidati në zgjedhje.
Nëse Harris e zgjedh atë, Shapiro do të mund të bëhet hebreu i parë si nënpresident amerikan, derisa Harris synon të bëhet gruaja e parë me ngjyrë në pozitën e presidentes së SHBA-së.
Walz, 60-vjeçar, ish-anëtar i Gardës Ushtarake Kombëtare, dhe ish-mësues, e ka rritur secilën herë e më shumë emrin e tij në parti dhe së fundmi njihet për kritikat që ua ka bërë Trumpit dhe Vances.
Kandidatët do ta marrin vesh të hënën në mbrëmje apo të martën në mëngjes së kë e ka zgjedhur Harris.
Ajo i ka nisur kërkimet rreth kandidatit për nënpresident vetëm dy javë më parë, pasi presidenti aktual, Joe Biden është tërhequr nga gara dhe e ka mbështetur nënpresidenten për të vazhduar përpara./ REL