Kardinali amerikan Sean O’Malley, i njohur për përkrahjen e të mbijetuarve të abuzimit seksual dhe nxitjen e reformave në kishën katolike, ka dhënë dorëheqjen si Kryepeshkop i Bostonit, njoftoi Vatikani të hënën.

Tetëdhjetë vjeçari do të zëvendësohet nga Richard Henning, Peshkopi 59-vjeçar i Providencës, për të drejtuar dioqezën e katërt më të madhe në Shtetet e Bashkuara, tha Vatikani në një deklaratë.

Sipas njoftimit Papa Françesku e ka pranuar dorëheqjen e zotit O’Malley, por nuk është dhënë arsyeja për largimin e tij.

Në Kishën Katolike, peshkopët që drejtojnë një dioqezë zakonisht dalin në pension kur mbushin 75 vjeç, por Papa ka mundësi t’u kërkojë atyre të qëndrojnë më gjatë.

Për momentin, Peshkopi O’Malley mbetet kreu i Komisionit Papnor për Mbrojtjen e të Miturve, një organ i krijuar nga Papa Françesku për të luftuar pedofilinë nga priftërinjtë. Peshkopi e ka udhëhequr këtë Komision nga viti 2014.

Dorëheqja e Peshkopit O’Malley i jep fund një kapitulli prej dy dekadash të udhëheqjes së katolikëve në Boston, qytetin ku dominojnë komunitetet italiane dhe irlandeze. Skandali global mbi abuzimin seksual të fëmijëve nga klerikët shpërtheu në Boston në vitin 2002, një vit përpara se ai të dërgohej me detyrë.