“Nuk kisha qëllim ta vrisja babanë, e shtyva por u pengua”. Kjo ka qenë dëshmia para grupit hetimor e 41 vjeçarit Klementin Islamaj nga fshati Shalës, bashkia Konispol, i cili u arrestua ditën e djeshme për vrasjen e babait të tij Hysen Islamaj 69 vjeç, pak pasi ky i fundit i kishte vrarë me sëpatë nënën e tij 66-vjeçare Shano Islamaj.
“Vetë jam prind i dy fëmijlve dhe jam i divorcuar. Babai edhe një ditë më parë e ka dhunuar nënën. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 6 të mëngjesit. Isha tek lokali i fshatit po pija kafe me disa shokë. Nga shtëpia u dëgjua zhurmë dhe më thanë bashkëfshatarët të çohesha të shihja çfarë kishte ndodhur. Kur shkova gjeta nënën të vrarë në mes të shtëpisë. Babanë e shtyva që ta largoja nga vetja, por ai u pengua dhe ra. Nuk kisha qëllim ta vrisja”, është shprehur në çdo moment mes lotësh para grupit hetimor 41-vjeçari Klementin Islamaj.
Krimi i rëndë në familje ndodhi mëngjesin e 6 gushtit. Gjatë një sherri në banesë, 69-vjeçari, Hysen Islamaj ka goditur disa herë me sëpatë bashkëshorten Shano Islamaj, duke e lënë të vdekur në vend. Skenat e tmerrshme ndodhën para fëmijëve të Klementin Islamajt, të cilët jetonin në banesë me gjyshërit.
Burimet thane se mbesa 10-vjeçare, ka telefonuar të atin duke i thënë se gjyshi ka vrarë gjyshen. Klementin Islamaj i cili gjendej në kafen e fshatit është kthyer në banesë dhe pasi ka gjetur nënën të pajetë dhe për këtë arsye dyshohet se ka shtyrë nga shkallët të atin, i cili për shkak të goditjes në kokë humbi jetën.