Një lojtar australian i hokejt në fushë është arrestuar në Paris.
Tom Kraig, i cili ka marrë pjesë në Lojërat Olimpike, dyshohet se ka blerë kokainë.
Burri u arrestua të martën në mbrëmje pas një bastisjeje të policisë në lagjen Pigalle.
Sportisti, sipas “France Info”, u arrestua pasi iu gjet një gram kokainë.
Tom Kraig, i cili është një sulmues i Kookaburras, raportohet se është larguar nga darka e ekipit të tij me ekipin kombëtar të martën në mbrëmje për të bërë një xhiro në qytet.
Megjithatë, policia e ka pikasur pranë një pallati në lagjen e nëntë rreth mesnatës së të martës së 6 gushtit dhe pak më pas është arrestuar nga Policia e Narkotikëve të Parisit.
“France Info” raporton se “Policia arrestoi dy burra në mes të një transaksioni.”
Bashkë me Kraig u arrestua edhe tregtari i drogës, një djalë 17-vjeçar.
Komiteti Olimpik Australian nuk bëri të ditur identitetin e lojtarit të hokejit, por konfirmoi lajmin: “Konfirmojmë se një anëtar i ekipit australian të hokej është në paraburgim pasi u arrestua në Paris më 6 gusht.
Asnjë akuzë nuk është ngritur. AOC vazhdon të hetojë dhe të organizojë mbështetje për anëtarin e ekipit”.
I lindur në vitin 1995, Kraig është një sulmues i hokej në fushë.
Tom Kraig fitoi medaljen e argjendtë në Lojërat Olimpike 2021 dhe të bronztë në Kupën e Botës.
Ai njihet edhe për lidhjen me Alis Arnot, gjithashtu lojtare e kombëtares Australiane.
Çfarë rrezikon atleti australian? Sipas një ligji të miratuar në Francë në vitin 2020, personat që posedojnë më pak se pesë gramë kokainë mund të përballen me gjoba të menjëhershme deri në 150 euro.
Ata që janë dënuar më parë për krime të rënda rrezikojnë të përfundojnë në burg.