Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ka bërë një përditësim të situatës së zjarreve që ranë të enjten në Finiq dhe Delvinë.

Nga parku arkeologjik i Finiqit, që u prek nga zjarri, ministri theksoi se nuk ka pasur dëme në pasuritë kulturore ndërsa shtoi se do të jenë vigjilentë edhe gjatë natës për vatra të reja.

“Që prej mesditës kemi pasur një situatë problematike në të gjithë rrafshin e kodrave që ndan dy bashkitë dhe në fshatrat përkatës.

Kemi përqendruar me Forcat e Armatosura dhe zjarrfikëset nga të gjithë 8 mjete zjarrfikëse, 40 forca zjarrfikëse nga bashkitë e të dyja rretheve dhe 65 forca FA.

Kemi pasur ndërhyrje të gjata dhe eficente nga forca ajrore që ka të mundur frenimin e të gjitha vatrave në drejtim të zonave të banuara.

Sikundër është edhe një përparësi në këto situata, pas zonave të banuara, përparësia vjen te aktivitetet ekonomike dhe te zonat me rëndësi kulturore si ky park.

Biletaria dhe infrastruktura e aksesit është shpëtuar falë ndërhyrjes së shpejtë të ekipeve zjarrfikëse të Finiqit, është bërë e mundur edhe mbrojtja nga flakët e të gjithë pasurisë kulturore, pjesës së Bazilikës, thesarit të vjetër, dhe amfiteatrit poshtë që inspektuam.

Kemi pasur një koordinim të mirë. Do të jetë një natë vigjilence. S’duhet të largohemi nga zona dhe as të dorëzojmë vatra të vogla që mund të jenë aktive. Do të mbetemi në koordinim si gjatë ditës.”, u shpreh ministri.