Mendoj se është bërë një padrejtësi me Chermenin se sot mund të kishim një medalje ari dhe një bronzi, por këto dy medalje kanë shijen dhe aromën e arit,”-tha Sahit Prizreni, president i federatës shqiptare të mundjes. Pas kësaj deklarate të dhënë federata shqiptare e mundjes ka ankimuar në gjykatën më të lartë sportive CAS, rezultatin e ndeshjes çerekfinale në Olimpiadën e Parisit, mes mundësit i cili përfaqësoi Shqipërinë Chermen Valiev dhe uzbekut Razambek. Ky i fundit fitoi me pikë teknike 6-5, por sipas federatës shqiptare të mundjes vendimi i arbitrave ishte i padrejtë. Pavarësisht ankimimit në CAS në federatën e mundjes e dinë se ndryshimi i rezultatit është thuajse i pamundur, por këtë hap e ndërmorën si shenjë reagimi dhe proteste për atë që ndodhi në tapetin e mundjes.

Për fatin e Shqipërisë Valiev u ripeshkua dhe një ditë më pas, më 10 gusht fitoi dy ndeshjet që i siguruan Shqipërisë medaljen e parë historike në Lojërat Olimpike, edhe pse e bronztë. Bashkë me Valiev, medalje të bronztë për Shqipërinë më 11 gusht mori edhe mundësi Islam Dudaev, i cili garoi në kategorinë 65 kilogramë. Për këto arritje që shënojnë sportin shqiptar, ekipi Olimpik një ditë më parë u prit me ceremoni zyrtare në aeroportin e Rinasit, ndërsa mundësve të cilët nderuan flamurin kuqezi përveç shpërblimit monetar prej 5 milionë lekësh u është premtuar edhe nga një apartament në kryeqytet.